Kurti: Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Edi Shukriut

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e akademikes Edi Shukriu.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se pionierja e arkeologjisë në Kosovë, Edi Shukriu, si një grua e fortë, aktiviste dhe vizionare do t’i mungojë shumë shoqërisë kosovare, për të cilën thotë se u angazhua shumë.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e akademikes Edi Shukriu, një prej pionereve të arkeologjisë në Kosovë. Një grua e fortë, aktiviste dhe vizionare e cila do t’i mungojë shumë shoqërisë tonë, për të cilën u angazhua shumë. Ajo dha kontribut të çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale, akademike dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Arritjet e saja do të mbesin shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinj. Kontributi i saj si akademike, profesore universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme, duke frymëzuar edhe më tej kultivimin e vlerave krijuese.  Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, Akademisë dhe gjithë komunitetit.  Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Edi Shukriut”.

Kategoritë
LajmeVendi