Kurti replikon me Nurën e PDK-së për reciprocitetin: Je deputet i mirë, por për këtë çështje je në parti të gabuar

Kurti replikon me Nurën e PDK-së për reciprocitetin: Je deputet i mirë, por për këtë çështje je në parti të gabuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka replikuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura, për çështjen e reciprocitetit. Për të cilën Kurti u zotua në Kuvend se do bëhet së shpejti. Ndërsa, Nura i PDK-së, i tha se nuk di a me i besu Albinit të 12 shkurtit, apo Albinit të sotëm, pasi sipas deputetit, atribut i politikës së Kurtit është gënjeshtra.

Në replikën e tij, kryeministri Kurti, u shpreh se do ta vendosin reciprocitetin dhe nuk do të heqin dorë prej tij. “Këtë do ta bëjmë atëherë kur do të jemi të përgatitur shpejt”, tha ndër të tjera kryeministri.

“Sa i përket reciprocitetit, qysh në dhjetor të vitit 2011 ne e patëm miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rezolutën për reciprocitet të plotë politik-ekonomik, dhe tregtar, saktësisht më 7 dhjetor 2011. Dhe këtë princip unë e kam paraqitur edhe në takimet që i kam pasur në Bruksel, zëvendësi im i parë Besnik Bislimi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuktë 11 shkeljet që ja bënë Serbia reciprocitetit me Kosovën në raportin tonë të ndërsjelltë…Ne edhe faktorëve ndërkombëtarë ua kemi treguar këtë gjë…Në këto 100 ditët e para, ne kemi pasur Drejtorë të ri të Doganave dhe na duhet të përgatitemi maksimalisht… Në Qeverinë Kurti I e vendosëm reciprocitetin dhe Qeveria e mëpastajme e hoqi reciprocitetin, nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept….Reciprocitetin se kemi për hakmarrje, besojmë se është një parim i shëndoshë i marrëdhënieve midis shteteve…Reciprocitetin nuk e kemi për t’i shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistueset….”, u shpreh Kurti ndër të tjera.

Por më pas fjalën e mori Nura, duke i thënë Kurtit se është i kundërt me veten e tij.

“Brukseli nuk e ka premtu reciprocitetin, por ju, nuk e di a me i besu Albin Kurtit të 12 shkurtit, apo Albinit që na dha përgjigjen, sepse jeni krejtësisht i kundërt me vetëvetën tuaj dhe kjo dëshmon se atribut i politikës suaj është gënjeshtra…”, tha Nura.

Ndërsa, komentit të tij Kurti fillimisht iu përgjigj duke i thënë se për çështjen e reciprocitetit është në partinë e gabuar.

“Mua shumë më pëlqen deputeti Nura kur insiton për reciprocitet sepse je deputet i mirë i Republikës, por për këtë çështje je në parti të gabuar”, tha Kurti, transmeton Gazeta Express.

Gjithashtu tha se disa deputetë të PDK-së kanë votuar kundër reciprocitetit.

“Më 7 dhjetor të vitit 2011, 3 deputetë që të tre janë këtu në sallë, kanë votuar kundër reciprocitetit, spo jau përmendi emrat, në grupin tuaj në mbledhje e diskutoni. Më 20 janar, 5 depuetetë kanë votuar kundër reciprocitetit me Serbinë. Ne do ta vendosim reciprocitetin, dhe kjo nuk ka diskutim. Por nuk duam të dështojmë, e ka të tillë që duan që ne të dështojmë.

Duhet ta kuptoni pozicionin prej të cilit vini, ju vini prej një grupacioni politik që ka qenë kundër reciprocitetit.Ju keni interes të dështojë reciprociteti, prandaj ju dëshironi që të vendoset pa u përgatitur. E ne do të përgatitemi, do ta vendosim reciprocitetin, nuk do të dështojë reciprociteti, dhe uroj që o ju ta ndërroni qëndrimin si Grup Parlamentar në përputhje me vullnetin e deputetit Nura, ose deputeti Nura të mos vazhdojë të qëndrojë në partinë e gabuar edhe më tej”, tha Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi