Kurti rikthehet me një dolli në Kullën e Haradinajt, a u shtensionuan raportet mes tyre?

Kryeministri Kurti sot ka lënë anash mendimet e tij të shprehura në Kuvend për “komandantët”, kur replikonte me Ramush dhe Daut Haradinajn. Sot ka nderuar veçanarësisht ish-Kryeministrin dhe ngreu dolli me të në Gllogjan.

Ndryshe prej një viti më parë, agjenda e Kryeministrit Albin Kurti për ditën e sotme ishte e përqendruar në Gllogjan. Në 25 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ai foli nga oborri i Kullës së familjes së ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Para se ta niste fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjerë, nderoi edhe opozitarin Ramush Haradinaj dhe pas kësaj u duartrokit nga të pranishmit.

“Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi. Të vendosur në katër pozicione, Hilmi Haradinaj, së bashku me Mejremen e Frashërin, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin dhe Shkëlzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin”, tha Kurti në Gllogjan.

Diçka e tillë nuk kishte ndodhur një vit më parë, kur raportet e shefit të ri të Qeverisë me të vjetrin nuk ishin të mira. Haradinaj, qëkur Kurti mori pushtetin, nisi ta quajë “mashtrues” dhe kishin përplasje të forta në Kuvend.

Por tani, Kryeministri nuk e ka Haradinajn në kampin e kundërshtuesve për negociatave dhe marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Madje, kreu i AAK-së ka shprehur përkrahjen për ta pranuar Propozimin Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Duket se raportet mes tyre janë më të relaksuara, sepse Kurti e ka vazhduar qëndrimin e tij në Gllogjan me një pritje nga Haradinaj. Kulla e Haradinjave ishte vendtakim I Haradinajt e Kurtit dur të ishin përfshirë në bllokun opozitar VLAN që po planifikonte të izolonte PDK’në. Por, sipas rrëfimeve, ishte pikërisht ky vendi, ku  kampi I atëhershëm opozitar ishte shpërbërë.

Sidoqoftë të premten, Kurti e haradinaj kanë cakërruar gotat me raki, ndonëse kohë pas kohe ndezen shkëndija përplasjeje mes tyre.

Deklarata e fundit e Haradinajt për Kurtin, kur ky përkujtoi ish-kryeministrin e vrarë serb, Zoran Gjingjiqin, u bë lajm në media, por kaloi pa kundërreagime.

“Po shihet se kimia e Kurtit është edhe pak serbe”. “Kimia, pra përbërja e tij si person është pak serbe”, ka thënë Haradinaj para pak javësh.

Por, Haradinaj nuk e ka ngacmuar Kurtin përgjatë negociatave të fundit të tij me Presidentin serb, Aleksandër Vuciq, që u kurorëzuan me një Marrëveshje Bazë dhe me një Aneks të saj, të panënshkruar.

Madje, Haradinaj u ka kërkuar partive të tjera opozitare që kundërshtonin Kurtin, PDK-së dhe LDK-së, që të mos bëheshin hipokrite, pasi Kurti po e trashëgonte Asociacionin nga to.

Pas arritjes së marrëveshjes në Ohër më 18 mars, kreu i AAK-së e ka quajtur “joserioze” kundërshtinë e PDK-së dhe LDK-së.

“Marrëveshja nuk është e plotë, nuk ka njohje bilaterale por nuk ka asgjë të keqe në këtë marrëveshje. Nga këto partitë që po bëjnë zhurmë, PDK dhe LDK nuk e shoh shumë serioze sjelljen e tyre në këtë proces. Shikoj një lloj loje të paarsyeshme në momente kaq kritike për vendin tonë. Ne duhet të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj gjatë kësaj jave.

Kategoritë
LajmeVendi