Kurti: Rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë

Kurti ka folur për gazetën italiane La Repubblica në lidhje me tensionet mes dy vendeve në javët e fundit, pasi serbët në veri të Kosovës bllokuan rrugët drejt pikave kufitare si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurti ka folur për gazetën italiane La Repubblica në lidhje me tensionet mes dy vendeve në javët e fundit, pasi serbët në veri të Kosovës bllokuan rrugët drejt pikave kufitare si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.

“Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i madh. Do të ishte e papërgjegjshme nëse them ndryshe, sidomos pasi bota e pa se çfarë i bëri Rusia Ukrainës”, është shprehur Kurti.

Kryeministri i Kosovës është shprehur se Rusia qëndron prapa tensioneve që ndodhën me Serbinë.

“Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, por tani situata ka ndryshuar. Si rezultat i idesë së pansllavizmit fashist të Kremlinit, pjesa e parë u realizua në Ukrainë. Për shembull, nëse ndodh, pjesën e dytë mund ta shohim në Transnistria, kurse lufta e tretë ka gjasa të larta të jetë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Duke vënë në dukje se në javën e tretë të gushtit në Bruksel do të ketë një takim për situatën e përgjithshme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se “shpresoj se kjo do të ndihmojë në uljen e tensioneve”.

Ai ka shprehur dëshirën që vendi i tij të anëtarësohet në NATO, duke thënë se bashkimi me Aleancën do të kontribuojë në arritjen e paqes së qëndrueshme.

Kategoritë
LajmeVendi