Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajësoi Serbinë për mungesën e përparimit në bisedimet e normalizimit të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet dy vendeve, duke akuzuar presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se strehoi liderin e një inkursioni të armatosur në Kosovë dhe se nuk e zbatoi një marrëveshje paqeje.
Kështu shkruan Politico.eu pasi Kurti zhvilloi një bisedë me Nick Vinocur të Playbook të këtij mediumi.
Pasi Vuçiq tha se nuk kishte “asnjë marrëdhënie” me Kurtin, lideri i Kosovës u kundërpërgjigj: “Kur ai flet, unë nuk ndërhyj. Sa herë që flas, ai ndërhyn”.
“Qasja e Beogradit nuk është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”, tha Kurti, një ditë pasi mori pjesë në një drekë në Bruksel të organizuar nga Komisioni uvropian së bashku me homologun e tij serb.
“Si i thanë po Marrëveshjes [Ohrit] por refuzuan ta nënshkruajnë atë?”, ka pyetur Kurti.
Politico ka shkruar edhe për akuzat që Beogradi ia bën Prishtinës për “të drejtat e serbëve në Kosovë”.
“Në një intervistë të fundit me POLITICO, Vuçiq bëri thirrje për të përfunduar zgjedhjet komunale në rajonin e Kosovës, të cilat ishin bojkotuar nga serbët lokalë”, shkruan mediumi.
Kurti në këtë bisedë akuzoi qeverinë serbe për shkeljen e marrëveshjes dhe për strehimin e Milan Radoiçiqit.
“Radoiçiq është i lirë në Serbi i mbrojtur dhe financuar nga Serbia”, tha Kurti.
Kurti drejtoi gishtin edhe kah kryediplomati i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i bllokut në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajčák.
“Problemi është se zoti Borrell dhe Lajčák nuk i kanë rënë pipit kur ka pasur shkelje. Imagjinoni një arbitër që ec në një fushë futbolli pa pip”.
E kontaktuar nga Playbook për koment, zyra e ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dërgoi një dokument tetëfaqesh që akuzon kryesisht Prishtinën për dështimin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
“Kosova po përdor [argumentin], ‘së pari na duhen nënshkrimet’ vetëm për të luajtur lojën e fajit me Beogradin”, tha ajo.
“Megjithatë Kosova vazhdon të injorojë të gjitha obligimet e saj të dialogut”.
Si përfundim, Politico shkruan se “gjërat nuk po përmirësohen mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë që nuk do të ndihmojë asnjërin vend në rrugën e anëtarësimit në BE – ashtu si Komisioni po përgatitet të zbulojë një seri raportesh të detajuara mbi perspektivat e vendeve kandidate”.