Kryeministri Kurti ka shpërndarë disa fotografi në rrjetet sociale dhe ka thënë se institucionet kosovare i kanë detektuar menjëherë “këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Serbia ka provokuar sërish të shtunën duke lëvizur trupat e saj ushtarake “rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës”.
Kryeministri Kurti ka shpërndarë disa fotografi në rrjetet sociale dhe ka thënë se institucionet kosovare i kanë detektuar menjëherë “këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve”.
“Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi kryeministri Kurti.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit.
Kurti tha se ndërkohë që Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride me qëllim destabilizimin e rajonit, “hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”.
Kryeministri kosovar shtoi se sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët dhe aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë dhe se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente.
Kosovën dhe Serbinë i ndan një vijë kufitare e gjatë rreth 350 kilometra, e cila mbi 60 për qind është në komunat veriore me shumicë serbe.