Kurti shfajëson shtetin, bën përgjegjëse shoqërinë duke thënë se ka pak policë për ta parandaluar dhunën ndaj grave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish për vrasjen makabre të 35 vjeçares shtatzënë mbrëmë në Prishtinë, nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, i cili ndodhet ende në arrati.

Kurti ka folur për dhunën në rritje, teksa ka potencuar se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh, por në anën tjetër, ai thotë se Kosova ka pak policë për t’u marrë me këtë fenomen gjithnjë e në rritje.

Sipas kryeministrit, Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje, shkruan Reporteri.net.

Kurti tutje e vazhdon argumentin e tij duke thënë se “shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”

Ai thotë se zgjimi shoqëror për këto raste po është i vonshëm dhe po zgjat pak.

“Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private”, shkruan ndër të tjera Kurti.

Në postimin e tij, Kurti nuk kërkon përgjegjësi institucionale, por u bën thirrje shqiptarëve të tregohen “patriotë”, dhe siç thotë ai, ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

Reagimi i plotë:

Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri.

Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme.

Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.

Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.
Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

Kategoritë
LajmeVendi