Kurti shkruan për telefonatën me Chollet: Plani europian është pranuar si bazë e mirë për bisedime

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në Twitter për telefonatën që ka pasë mbrëmë me Këshilltarin Special amerikan, Derek Chollet.

Ai tha se në bisedën me të i ka thënë që planin e BE-së e ka pranuar si bazë të mirë për bisedime, derisa ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore.“Mbrëmjen e kaluar me Këshilltarin Special Derek Chollet u diskutua për rëndësinë e ecjes përpara në dialog bazuar në propozimin e BE-së, i pranuar si një bazë e mirë për bisedimet e mëtejshme. Si vendi më demokratik në rajon, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe integrim në BE dhe NATO”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për këtë bisedë thuhet se Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.

Në anën tjetër, Chollet në postimin e tij në Twitter ku njofton për bisedën që zhvilloi me Kurtin, thotë se ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet.

Kategoritë
LajmeVendi