Kurti: Takimi me Papa Françeskun më 2023, një nga momentet më domethënëse

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e vdekjes të Papa Françeskut, vlerësoi se takimi me të më 2023 mbetet një nga momentet më domethënëse si kryeministër deri tash.

“U trondita sot nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut. Si udhëheqësi shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, ai ishte një zë i guximshëm për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare, dhe një mbrojtës i palëkundur i të varfërve dhe të margjinalizuarve në të gjitha shoqëritë. Si Papa i parë joevropian në më shumë se 1200 vjet, ai shënoi një pikë kthese në historinë e Kishës.

Takimi im me Papën më 22 qershor 2023 — gjatë të cilit riafirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kosovës — mbetet një nga momentet më domethënëse gjatë kohës sime si Kryeministër deri tash. Ai bënte pyetje për Kosovën, për rininë e fëmijët dhe fliste për paqen me dashuri e për popujt me dhembshuri.

Është një takim që do ta kujtoj gjithmonë me kujdes dhe mirënjohje.

Pushoftë në paqe Papa Françesku. Trashëgimia e tij e mirësisë, përulësisë dhe guximit moral le të vazhdojë të frymëzojë dhe ndriçojë botën për brezat që vijnë’, shkroi në Facebook,Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi