Kryeministri Albin Kurti është takuar me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili erdhi në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit tha se Kurti dhe Gashi fillimisht patën një takim ‘tête-à-tête’, i cili “u përcoll pastaj me një takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve”.
Kurti, u tha se shprehu nevojën e ratifikimit të marrëveshjeve që prekin dy vendet.
“Gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar. Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit. U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
“Kryeministri falënderoi kryetarin Gashi për vizitën dhe tha se bashkëpunimi parlamentar ndihmon në rritjen dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.