Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me senatorin Chris Murphy, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike.
Kryeministri ka thënë se është momenti i fundit që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë të Kosovës.“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje gjatë takimit thuhet se u diskutua edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit.
“Duke theksuar marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti shprehu interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët tanë amerikanë”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.
“Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë.
Kryeministri Kurti e falënderoi senatorin Murphy për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj Kosovës”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/