Kryeministri Albin Kurti theksoi gjatë konferencës për Ditën Botërore për Punë Sociale se puna sociale është shumë më tepër se një profesion; ajo është një angazhim për një shoqëri gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në mirëqenien e komuniteteve dhe individëve të cenueshëm.
Ai theksoi se, gjatë mandatit të tij, ka pasur fokus në mbrojtjen sociale, duke siguruar kushte të barabarta për të gjitha komunitetet, përmes masave financiare dhe mbështetjeje për kategoritë në nevojë.
I ndodhur në mesin e shumë studentëve, profesorëve, studiuesve, punëtorëve e partnerëve, kryeministri tha se puna sociale ka evoluar përgjatë periudhave në bazë edhe të nevojave njerëzore dhe të shoqërisë. Mirëpo, përkundër fazave zhvilluese, ajo ka ruajtur qëllimin e saj, punën, për një shoqëri gjithëpërfshirëse, si e tillë ajo gjithashtu kërkon të arrijë: mirëqenien e komuniteteve dhe individëve të cenueshëm dhe të margjinalizuar.
“Puna sociale është shumë më tepër sesa një punë, fushë apo profesion. Është më tepër se aq sepse ngërthen brenda vetes një botë të larmishme idesh dhe forcë të përkushtimit e angazhimit të palëkundur, për të kontribuar për një ambient që na rrethon dhe shoqëri më të mirë. Është edhe art, edhe shkencë”, tha ai.
Në mes tjerash, kryeministri Kurti përmendi që gjatë mandatit qeverisës, kanë pasur në qendër edhe mbrojtjen sociale, duke siguruar shpërndarje financiare e kushte të barabarta për të gjitha komunitetet dhe kategoritë shoqërore pa dallim, nëpërmjet masave të ndryshme.
Kurti potencoi se janë ndarë rreth 3.8 milionë euro mbështetje financiare për dy vitet e shkuara, 2023 dhe 2024, për kategoritë në nevojë sociale, si dhe janë liruar nga tarifat noteriale, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe janë licensuar 672 profesionistë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.