Kurti: Vetëm dje kemi importuar 2 milionë e gjysmë euro rrymë, kah t’i marrim paratë

Kryeministri Albin Kurti, para deputetëve në seancë ka thënë se vetëm ditën e djeshme Kosova ka importuar 2.5 milion euro rrymë. Ai ka pyetur ligjvënësit se si të paguhet kjo rrymë me çmimin e lartë të importit të saj, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se në pikun e ditës, 240 euro kanë paguar një megavat orë që e kanë importuar.

“Unë po e marr vetëm shembullin e ditës së djeshme, 19 janar 2022, pra në ditën e djeshme i kemi pasë në punë A1,A2 dhe A3, ka punuar edhe B1 me 251 megavat, B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit. Totali i gjenerimit të energjisë me kapacitetet tona ka qenë 727 megavat, piku ka qenë 1317 megavat.Në ditën e djeshme importi është mbi 10 gigavat orë, ndërkaq devijimi është mbi 400 megavat orë. Në bursën ndërkombëtare, çmimi bazë ka qenë 227 euro,vetëm importi dje ka kushtuar 2.5 milionë euro. Prandaj deputetë të nderuar më tregoni si ta paguajmë rrymën”, ka thënë Kurti.

Ai tha se gjatë vitit Kosova A dhe Kosova B janë jashtë funksionit për 10 javë përkatësisht 54 ditë.

“Nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat orë që na vie prej KEK-ut por prej asaj që na vjen nga bursa ndërkombëtare. Gjatë vitit TC Kosova A ka 30 ditë riparim që është jashtë funksionit, totali është mbi 10 javë jashtë funksionit, ndërkaq TC Kosova B, është 54 ditë jashtë funksionit. Me 727 megavat e me konsum prej mbi 1.3 gigavat me import rreth 250 megavat orë ne po përfundojmë duke i shpenzuar 2.5 milionë euro në ditë”, tha Kurti.

Kategoritë
Lajme