Kurtit i vjen një letër falënderuese nga Sanxhaku

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një letër falënderimi nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, për ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në seancën ceremoniale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, paradën e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Kosovës me rastin e shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kryetari Ugljanin në këtë letër ka thënë se me këtë ftesë i është bërë nder dhe se ka qenë kënaqësi e madhe për të festuar këtë ditë të madhe për Kosovën me miqtë tanë të përbashkët nga e gjithë bota.

“Në letrën e tij, z. Ugljanin shprehet se Republika e Kosovës është një shtet i ri por modern, i bazuar në sundimin e ligjit, sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Partia e Veprimit Demokratik e Sanxhakut shpreh dëshirën që të vazhdojë të ushqejë dhe përmirësojë lidhjet e ngushta ndërmjet popullit shqiptar dhe boshnjak, si dhe lidhjet midis Sanxhakut dhe Kosovës”, thuhet në letrën e Ugljanin drejtuar Kryeministrit Kurti.Në fillim të këtij muaji, kryeministri Kurti kishte mirëpritur në zyrën e tij delegacionin SDA Sanxhak që kryesohej nga kryetari Dr. Sulejman Ugljanin, i shoqëruar nga kryetari i PVD, Shaip Kamberi dhe dy deputetët tjerë në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic.

Kategoritë
LajmeVendi