Kush e vrau në të vërtetë Kennedyn: Vendimi i Trumpit rikthen në vëmendje atentatin më të njohur në histori

Më shumë se gjashtë dekada pas atentatit ndaj John F. Kennedy-t, një nga pyetjet më intriguese dhe më kontroverse në historinë amerikane – “Kush e vrau në të vërtetë JFK-në?” – është rikthyer në qendër të vëmendjes.

Vendimi i ish-presidentit Donald Trump për të deklasifikuar dokumentet e mbetura sekrete mbi këtë ngjarje ka ringjallur debatet e vjetra, teoritë e shumta konspirative dhe dyshimet mbi versionin zyrtar të historisë, duke nënvizuar edhe një herë fascinimin e amerikanëve dhe botës me këtë ngjarje tragjike.

Duke nënshkruar urdhrin ekzekutiv për publikimin e dokumenteve, Trump deklaroi: “Shumë njerëz kanë pritur për këtë prej shumë kohësh, për vite, për dekada. Çdo gjë do të zbulohet.”

Sipas tij, ky hap është kyç për transparencën dhe besimin e publikut, veçanërisht pasi shumica e amerikanëve, sipas sondazheve, nuk bien dakord me versionin zyrtar të ngjarjes, që pretendon se Lee Harvey Oswald, një ish-marins dhe simpatizant i Bashkimit Sovjetik, veproi i vetëm kur më 22 nëntor 1963 qëlloi dhe vrau presidentin në Dallas, Teksas.

Ikona e demokratëve dhe simbol i ndryshimeve

John F. Kennedy, lideri karizmatik i Partisë Demokratike, shënoi një periudhë të trazuar në politikën amerikane. Si presidenti më i ri i zgjedhur në historinë e SHBA-së, Kennedy u bë simbol i shpresës, modernizimit dhe vlerave progresive. Ai udhëhoqi vendin në momente kyçe si kriza e raketave në Kubë në vitin 1962, e cila e çoi botën në prag të luftës bërthamore, por që përmes veprimeve të tij strategjike, eskalimi u shmang.

Kennedy dhe bashkëshortja e tij, Jackie, u bënë sinonim i elegancës dhe glamurit politik, ndërsa epoka e tyre shpesh quhej “Kamelot,” sipas mbretërisë legjendare të mitologjisë britanike. Megjithatë, vrasja e tij në rrugët e Dallasit, e ndodhur para syve të botës, e shndërroi atë në një martir dhe la gjurmë të thella në ndërgjegjen kolektive amerikane.

Teoritë e konspiracionit: Nga Kuba te CIA-ja

Që nga fillimi, versioni që Oswald veproi si atentatori i vetëm ka ngjallur dyshime. Teori të shumta konspirative sugjerojnë përfshirjen e mundshme të komplotistëve të tjerë, përfshirë Kubën, që ishte në qendër të tensioneve gjatë krizës së raketave, Bashkimin Sovjetik, dhe madje edhe agjencitë amerikane të inteligjencës, si CIA-ja.

Një nga teoritë më të njohura pretendon se Oswald ishte vetëm pjesë e një komploti më të madh dhe se një atentator i dytë ishte pozicionuar në “kodrën e gjelbër” (grassy knoll), prej nga u qëlluan plumba shtesë. Këtë teori e mbështesin dëshmitë e dëshmitarëve që thanë se dëgjuan të shtëna nga ajo drejtim dhe panë tym ose lëvizje. Gjithashtu, disa ekspertë sugjerojnë se filmimi i njohur si “Filmi Zapruder” tregon mundësinë e ardhjes së një plumbi nga një kënd tjetër.

Disa besojnë se atentati ishte një komplot i brendshëm i zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane, përfshirë agjencitë ushtarake dhe të inteligjencës, që ishin kundër politikave të Kennedy-t, veçanërisht planeve të tij të supozuara për tërheqjen nga Vietnami.

Dokumentet e publikuara më parë – përfshirë 13,000 gjatë mandatit të presidentit Joe Biden – kanë rritur më tej dyshimet, pasi shumë pjesë kyçe janë redaktuar. Vendimi i Trumpit tani ngre pyetjen nëse deklasifikimi i plotë do të qartësojë më në fund detajet e atentatit apo do të hapë dilema dhe polemika të reja.

Reagimet ndaj vendimit të Trumpit

Vendimi i Trumpit ka shkaktuar reagime të ndryshme. Jack Schlossberg, nipi i John F. Kennedy-t, e akuzoi presidentin për përdorimin e vrasjes së gjyshit të tij për qëllime politike.

“Deifikimi i JFK-së dhe përdorimi i vrasjes së tij si një rekuizitë politike është i gabuar. Kjo nuk është një akt heroik,” deklaroi Schlossberg, duke shtuar se tragjedia e vrasjes së gjyshit të tij është tashmë mjaft e rëndë pa manipulime që shërbejnë për narrativa të përditshme politike.

Vendimi për deklasifikim nuk përfshin vetëm atentatin ndaj John F. Kennedy-t, por edhe vrasjen e vëllait të tij Robert F. Kennedy dhe të aktivistit për të drejtat e njeriut Martin Luther King Jr. Kjo hap mundësinë që publiku të marrë një pasqyrë të re mbi momentet kyçe të historisë amerikane të shekullit të 20-të, por gjithashtu nxit diskutime mbi rolin e “shtetit të thellë” dhe transparencën e qeverisë.

Kategoritë
BotaLajme