Kroacia mbrëmë ka luajtur 1:1 me Italinë në xhiron e tretë të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian dhe mediat vendase fajtorin kryesor e shohin te arbitri holandez Danny Makkelie.
Kroatët kishin gjithçka në dorë deri në sekondën e fundit të lojës dhe më pas Mattia Zaccagni arriti të kapërcejë Livakoviçin dhe të shkatërrojë ëndrrat e kombëtares kroate.
Fqinjët tanë nuk e pranojnë faktin që janë në prag të eliminimit nga kampionati europian dhe fajtorin kryesor për dështimin nuk e shohin në lojërat e tyre të këqija, por në Makkelie.
Večernji kështu publikon një artikull me titull “Kush është njeriu që e urren sot e gjithë Kroacia? Ai na vodhi ëndrrat dhe ky nuk është skandali i tij i parë”.
“Duhet pranuar se Makkelie po tërhiqte për italianët pothuajse që në fillim të lojës. Edhe goli me dorë në penallti për Kroacinë në minutën e 53-të nuk ishte i qartë për të, edhe pse e gjithë bota e pa menjëherë.”
Ata po ashtu theksojnë se ky nuk është gabimi i tij i parë “kardinal”, por se ka bërë gabime edhe më herët, e si shembull kanë përmendur ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Portugalisë në kualifikueset për Botërorin e Katarit.
Ai më pas anuloi fituesin për Portugalinë në kohën e fundit kur Stefan Mitrović tërhoqi topin prapa vijës së portës pas goditjes së Cristiano Ronaldos.