Kuvendi i Kosovës këtë javë do të mbajë dy seanca

Kuvendi i Kosovës këtë javë do të mbajë dy seanca plenare, në të cilat, në rend dite do të jetë leximi i dytë i rregullores së Kuvendit dhe projekt-ligji për financimin e partive politike

Kuvendi i Kosovës këtë javë do të mbajë dy seanca plenare, në të cilat, mes tjerash, në rend dite do të jetë leximi i dytë i rregullores së Kuvendit dhe projekt-ligji për financimin e partive politike, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e grupit parlamentar të partisë në pushtet Vetëvendosja, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se të enjten më 28 korrik do të mbahet seanca e re plenare ku në rend dite do të jetë ratifikimi i marrëveshjes për partneritet të kornizës financiare ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian për zbatimin e marrëveshjes financiare IPA 3, e cila kërkon shumicën e dy të tretave ose 80 vota të deputetëve.

Sipas Kusari-Lilës, shumica e dy të tretave nevojitet edhe për ratifikimin e marrëveshjes për politika zhvillimore dhe për miratimin e rregullores së Kuvendit të Kosovës.

“Në marrëveshje me grupet parlamentare, pika e gjashtë e rendit të ditës do të jetë Rregullorja e re e punës në lexim të dytë, rregullore të cilën shpresojmë se do të arrijmë ta miratojmë në këtë mbledhje pas gati 10 vitesh shqyrtim të vazhdueshëm. Jemi dakorduar që në lexim të dytë të shqyrtohet edhe projektligji për financimin e partive politike”, tha Kusari-Lila.

Ajo theksoi se për të premten, 29 korrik, është caktuar vazhdimi i seancës së mëparshme në të cilën do të gjenden pikat e rendit të ditës, mes të cilave edhe debati për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës të cilën e ka kërkuar partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë, Blerta Deliu-Kodra deklaroi se Kryesia sot ka diskutuar edhe për iniciativën e partisë së saj që të shqyrtohet projekt-ligji për rregullimin e çmimit të prodhimeve mjekësore.

“E keni parë, sidomos gjatë pandemisë, se qytetarët e Kosovës kanë blerë produkte mjekësore 2.000 për qind më shtrenjtë dhe nëse shikoni shpenzimet vjetore, qytetarët e Kosovës paguanin 6 milionë euro më shumë në vit në krahasim me qytetarët e vendeve të rajonit për shkak të çmimeve të larta të produkteve mjekësore. Barnat e njëjta blihen me çmime të ndryshme dhe përmes këtij projektligji synojmë të rregullojmë çmimet e barnave në Kosovë”, tha Deliu-Kodra.

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri foli mbi Ligjin për pagat, që ende nuk është shtruar në rend dite në Kuvend. Sipas tij, kjo është dështim i Qeverisë së Kosovës. Tahiri tha se partia e tij ka kërkuar interpelancë të Qeverisë për Ligjin mbi pagat, për të dëgjuar ministrat se ku ka ngecur ligji.

Kategoritë
LajmeVendi