Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën në lidhje me mosliberalizimin e vizave

Në fillim të diskutimit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se deputetët e Kosovës duhet të shprehin qartë qëndrimin e tyre për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Kuvendi i Kosovës miratoi sot me shumicë votash Rezolutën për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, e propozuar nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), raporton Anadolu Agency (AA).

Për rezolutën e propozuar votuan 65 deputetë dhe nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Në fillim të diskutimit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se deputetët e Kosovës duhet të shprehin qartë qëndrimin e tyre për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç kanë shprehur qëndrimin e tyre edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian për këtë çështje.

Tahiri lexoi tekstin e rezolutës së përgatitur duke kujtuar se Bashkimi Evropian negociatat për liberalizimin e vizave me Kosovën i ka nisur në janar të vitit 2012, ndërsa Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara në vitin 2018.

“Ne, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotohemi se do t’i shpiem përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nismat kundër korrupsionit, projektet për punësim dhe zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, mbikëqyrjen e rreptë të qeverisë dhe qeverisjes në raport me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha ndër të tjera Tahiri.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni, vlerësoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më afër heqjes së regjimit të vizave sesa sot. Ajo i bëri thirrje opozitës që të qëndrojë e bashkuar me qeverinë në këtë proces.

“Ne nuk duam ta mashtrojmë popullin. Nuk kemi dhënë asnjëherë muaj, as data, sepse mendojmë se kanë qenë të mashtruar për vite, por po punojmë fuqishëm, ekzekutiv dhe legjislativ, që ky proces njëherë e mirë të marrë epilog. Këtu unë ju bëj thirrje të bashkohemi të gjithë, pozitë dhe opozitë, sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita dhe opozita, para së gjithash si qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kryeziu-Hyseni tha se rruga e Kosovës drejt BE-së është angazhim afatgjatë për të gjithë, prandaj është e nevojshme të ruhet një frymë e mirë dhe bashkëpunuese në këtë proces.

Deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se për mosliberalizimin e vizave për Kosovën nuk mund të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian, por edhe disa figura politike, të cilët aktualisht janë në krye të vendit.

“Këtë padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve tanë, të cilët po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, me një fjalë, nuk mund të fajësojmë vetëm Bashkimin Evropian, sepse, është e qartë, është e ditur, edhe këtu edhe botërisht, ne e kishim një mundësi të artë në vitin 2015-2016, kur Kosova ishte në një pako të njëjtë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin e vizave, por të gjithë e dinë, kjo u pamundësua nga disa figura po ashtu që sot janë në krye të shtetit”, tha Zemaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Elmi Reçica, tha se partia e tij e përkrah agjendën evropiane të Kosovës, por shtoi se duhet ta përkrahë edhe qeveria. Reçica shtoi se pas demarkacionit me Malin e Zi, Kosova ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja.

Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në rajon që ka ende regjim vizash me BE-në.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi