Kuvendi i Serbisë do të mbajë një seancë treditore në mars për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë

Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë do të mbajë një seancë treditore në mars për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik.

Mediat serbe raportojnë se seanca do të mbahet më 14, 15 dhe 16 mars.

Kujtojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbërriti mbrëmë në Banja Luka, në të njëjtën ditë kur Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës dënoi Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.

Me këtë veprim, Vuçiq vazhdoi mbështetjen e tij të vazhdueshme për presidentin e RS-së dhe deklaroi se ishte një “ditë e vështirë”.

“Vetëm të mos flasin ata që ndërhyjnë brutalisht në çështjet e brendshme të Serbisë se kush duhet të qeverisë, gjë që ne nuk e kemi bërë për Sarajevën. Një proces gjyqësor i çuditshëm dhe pa kuptim, një dënim për diçka që nuk mund ta quani as delikt verbal dhe që nuk ekziston në botën moderne dhe për të cilën menduam se nuk do të ekzistonte,” deklaroi Vuçiq.

Ai gjithashtu theksoi se e konsideron këtë vendim si një “dënim kundër Republikës Sërpska dhe popullit serb në tërësi”.

Kategoritë
LajmeRajoni