“Kuvendi i Shqipërisë të ketë një moment të posaçëm për nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë më 7 korrik të këtij viti një projektrezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Kuvendi i Shqipërisë në muajin korrik të këtij viti pritet të shqyrtojë një projektrezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, që do të propozohet nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë fjalës në seancën e sotme parlamentare tha se për këtë çështje ka kërkuar që seanca të zhvillohet më datë 7 korrik, sipas tij “natyrshëm me solemnitetin e domosdoshëm dhe me një protokoll siç i ka hije Kuvendit të Shqipërisë”, propozim i cili u miratua në seancë.

“Një përfaqësues i qeverisë, kryetarët e grupeve parlamentare të mbajnë fjalët e rastit dhe natyrshëm dokumenti të jetë një dokument serioz, ku Kuvendi i Shqipërisë të shprehë qartë përmes kësaj rezolute do ta quaja unë dënimin dhe vijimin e qëndrimeve konseguente të qeverisë shqiptare lidhur me pandëshkueshmërinë në rastin e këtij gjenocidi dhe po ashtu të ftojmë dhe përfaqësues të shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, pse jo dhe familjarë të viktimave të këtij gjenocidi”, u shpreh Balla.

Balla shtoi se beson që për këtë çështje kanë të gjithë dakordësinë.

“Më datë 7 korrik Kuvendi i Shqipërisë në një seancë ose në njërën pjesë të seancës të ketë një moment të posaçëm për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe kështu besoj që Kuvendi i Shqipërisë ashtu siç i ka hije merr edhe qëndrimin përkatës për këtë çështje”, theksoi Balla.

Kujtojmë se më 12 maj të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e disa deputetëve të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) për realizimin në seancë parlamentare të një mocioni me debat dhe finalizimin e një rezolute në lidhje me “Njohjen dhe dënimin e gjenocidit në Srebrenicë”, duke shkaktuar edhe reagime.

Ndërkohë, nga ana tjetër, disa deputetë të PD-së kanë depozituar në fund të muajit maj në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë “Për dënimin e masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë”, për të cilën pritet që organet e Kuvendit ta marrin në shqyrtim.

Kategoritë
LajmeRajoni