Ky është kartoni i verdhë për të cilin Granit Xhaka po hetohet nga Agjencia Kombëtare e Krimeve

Një karton i verdhë i marrë nga mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka është duke u hetuar nga Agjencia Kombëtare e Krimeve.

Kapiteni i Zvicrës nuk ka turp të ndëshkohet, pasi është ndëshkuar plot 52 herë në Ligën Premier që kur u bashkua nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.

Por, kartoni i tij i verdhë i diskutueshëm kundër Leeds United më 18 dhjetor është nën vëzhgim si pjesë e një hetimi mbi aktivitetin e dyshimtë të basteve.

Arsenali mundi Leedsin me rezultat 4-1 në Elland Road, me Gabriel Martinelli që realizoi dy gola dhe Bukayo Saka dhe Emile Smith-Rowe me nga një gol.

Xhaka u ndëshkua me të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner në minutën e 86-të për humbje kohe, pasi kishte kaluar rreth 20 sekonda duke vonuar një goditje dënimi në pjesën e tij.

Një bast i madh prej rreth 52 mijë funtesh u vendos që Xhaka të ndëshkohej në dhjetë minutat e fundit të lojës, me pagesën prej 250 mijë funtesh.

Në janar, një muaj pas incidentit, FA konfirmoi se ata kishin nisur një hetim pasi u alarmuan nga kompanitë e basteve.

Sipas Daily Mail, çështja tani është pranë agjencisë kryesore të krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk ka asnjë hetim për sjelljen e Xhakës dhe as ai apo ndonjë nga shokët e tij nuk besohet të ketë bërë ndonjë gabim.

Në vend të kësaj, çështja ka të bëjë më shumë me shumën jashtëzakonisht të madhe të vendosur për një bast të lidhur me kartonin e verdhë dhe faktin që u bë në një shkëmbim bastesh ku lojtarët mund të shkëmbejnë aksionet.

Gjasat për një karton të verdhë në dhjetë minutat e fundit ishin gjithashtu shumë më të larta se kur filloi ndeshja.

Xhaka u ndëshkua 10 herë me karton të verdhë sezonin e kaluar dhe gjithashtu u përjashtua në dy raste. /Telegrafi/

 

Kategoritë
Sport