Komandanti i Hamasit në Rripin e Gazës, Yahya Sinwar, është emëruar udhëheqës politik i këtij grupi militant palestinez pas atentatit ndaj Ismail Haniyeh javën e kaluar në Teheran.
“Lëvizja Islame e Rezistencës Hamas njofton zgjedhjen e komandantit Yahya Sinwar si kreun e zyrës politike të lëvizjes, që do të pasojë komandantin e vrarë Ismail Haniyeh,” thuhet në deklaratën e Hamasit.
Yahya Sinwar (61 vjeç) është prapa sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar që kur ushtria izraelite e kërkon atë në enklavë, raporton Reuters.
23 vite në burg
Ai kaloi 23 vite në burgjet izraelite përpara se të lirohej në vitin 2011 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
Aktualisht konsiderohet anëtari më i fuqishëm i Hamasit, pas vrasjes së Haniyeh, zëvendësit të udhëheqësit të grupit, Saleh al-Aruri, i cili u vra në Bejrut, dhe Mohammed Deif, komandantit ushtarak të lëvizjes.
Ai ka lindur në Khan Yunis dhe u zgjodh si udhëheqës i Hamasit në Gaza në vitin 2017. Sipas agjencisë britanike, Sinwar më parë ishte shefi i aparatit të sigurisë Al-Majd që ndiqte, vriste dhe ndëshkonte palestinezët e akuzuar për bashkëpunim me Shërbimin Sekret Izraelit.
Sinwar nuk është parë në publik që nga 7 tetori dhe ndodhet në listën amerikane të terroristëve të rrezikshëm.
Në Teheran, Ismail Haniyeh u vra dhe Irani dhe Hamasi kanë premtuar hakmarrje ndaj Izraelit, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për atentatin.