Ky është personi ndaj të cilit u ngrit aktakuzë për masakrën e Izbicës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj një personi, i cili është shqiptar me vendbanim në Beograd.

Aktakuza e ngritur sot nga Prokuroria ka të bëjë me Masakrën e Izbicës e ndodhur në Komunën e Skenderajt, më 29 mars 1999.

I akuzuari në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Kosovës është 46 vjeçari, Muhamet Alidemaj, i cili më parë jetonte në Zemun të Beogradit dhe për 22 vjet radhazi ishte llogaritur si i zhdukur.
I njëjti u arrestua në mars të vitit të kaluar .

E familja e të dyshuarit në këtë rast jetonte në fshatin Kërrninë të Istogut, në një lagje ku më parë kishin jetuar serbët.

Ndryshe Prokuroria Speciale ka njoftuar se aktakuza kundër M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale ‘’Krime lufte në shkelje të rëndë’’ të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Prokuroria Speciale njofton se rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, Komuna e Skenderajt. Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe,  ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.

Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Speciale, janë marr deklaratat të mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të rastit. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se me datë 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vranë popullsia civile e pafajshme.

Kategoritë
LajmeVendi