Ky është plani 10 pikësh i BE’së që 5 emisarët e Perëndimit ua prezantuan të premten Kurtit e Vuçiqit

Pesë diplomatët e BE’së, Miroslav Lajçak, Emmanuel Bonne, Jens Plettner, Francesco Talo, dhe ai i SHBA’së, Gabriel Esocbar, të premten e shkuar gjatë qëndrimit disa orësh në Prishtinë e Beograd, u kanë prezantuar kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, draftin e përditësuar 10 pikësh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dokumenti në fjalë, siç edhe e përshkroi kryeministri Kurti këtë të enjte gjatë ditës, në hyrje të tij ka 5 rreshta si “preambulë” ku njoftohet se ky dokument i përcjellët Kosovës dhe Serbisë nga 5 diplomatët e Perëndimit “si platformë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Madje, edhe në këtë dokument bëhet e ditur se 10 pikat e prezantuara tashmë si platformë evropiane bazën e kanë tek i ashtuquajturi plani franko-gjerman, që të dy vendet e morën në formën e “non-paper” në gjysmën e dytë të vitit që shkoi.

Kjo është përmbajtja e dokumentit :

Pas takimeve që pesë diplomatët ndërkombëtarë – Emmanuel Bonne, Jens Plettner, Francesco Talo, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajack – kanë pasur në Prishtinë dhe Beograd, dhe prezantimit se çka është propozimi evropian si një platformë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, këtu janë dhjetë pikat e planit franko-gjerman, në të cilat është e bazuar kjo platformë:

Neni 1
Palët do të zhvillojnë në mënyrë reciproke marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do të njohin në mënyrë reciproke dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore.

Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4
Palët pajtohen se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Neni 5
Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre për tu bërë anëtare në Bashkimin Evropian.

Neni 6
Derisa marrëveshja bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një momentum të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët dakordohen që në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, religjion, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e zhdukur dhe fusha të tjera, të ngjashme duke arritur marrëveshje specifike.

Neni 7
Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8
Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë respektive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen ndaras.

Neni 9
Angazhimi i BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10
Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, që do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme.

Kategoritë
LajmeVendi