Ky është shteti që ka zgjedhur Bjellorusia ta luajë ndeshjen ndaj Kosovës

Ndeshja në mes të Bjellorusisë dhe Kosovës do të luhet në Greqi, shtet ky që s’e njeh Pavarësinë e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur të mërkurën për KOHËN, drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Ai ka thënë se nga Federata e Futbollit të Bjellorusisë kanë marrë njoftim se kanë vendosur që ndeshjen ndaj Kosovës ta zhvillojnë në tokën greke.

Ndeshja Bjellorusi – Kosovë do të zhvillohet me 19 qershor, në kuadër të grupit I kualifikues për “Euro 2024”.

“Po është caktuar që ndeshja të luhet në Greqi, por ende nuk është caktuar stadiumi dhe qyteti. Realisht, kemi pritur që këtu diku afër do të luhet kjo ndeshje, pasi në opsion ishte edhe Turqia. Por, në fund është caktuar Greqia dhe me kohë do të njoftohemi edhe për stadiumin në të cilin kanë vendosur ata që të luajnë ndeshjen ndaj nesh”, ka thënë Sahiti.

Bjellorusia është ndaluar nga UEFA të organizojë ndeshje në territorin e vet për shkak të mbështetjes që i ka dhënë Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës.

Kategoritë
Sport