Është arrestuar një sirian 23-vjeçar, i cili dje në Villach, një qytet në jug të Austrisë, plagosi me thikë pesë kalimtarë në mënyrë të rastësishme, por ai u ndal nga një sirian tjetër.
Sulmuesin e ndaloi 42-vjeçari Alaaeddin Alhalabi, një sirian që prej vitesh punon si shpërndarës ushqimi në Austri. Ai, pa u menduar dy herë, e drejtoi automjetin e tij drejt sulmuesit.
“Së pari, ai po grindjej me njerëzit në një rrugicë anësore, pastaj papritur filloi të godiste në mënyrë të rastësishme. Në fillim u përpoqëm ta ndalonim, por sapo pamë thikën, u larguam menjëherë,” ka treguar për Krone një nga dëshmitarët e sulmit, 29-vjeçari Mahir.
Ai dhe miku i tij Martin punojnë dhe jetojnë pranë vendit të ngjarjes dhe e njohin mirë shpërndarësin e ushqimit që ndaloi tragjedinë e mëtejshme.
“Pashë një person të shtrirë në tokë dhe një burrë që sulmonte kalimtarët me thikë. Nuk mendova asnjë çast, thjesht u nisa me makinë drejt tij,” tregoi siriani që ndaloi sulmuesin.
Ai shtoi se nuk mund të rrinte duarkryq dhe të shikonte.
“Ai po shkonte drejt qendrës së qytetit dhe në rrugë kishte fëmijë – nuk mund ta lejoja këtë. Edhe unë jam baba, edhe unë kam fëmijë,” tha Alhalabi në një intervistë për Krone.
Ai shpjegoi se në atë moment ishte duke shkuar për të marrë një porosi dhe u drejtua me makinë drejt sulmuesit që po tundte thikën.
“E godita me makinë dhe e hodha disa metra larg. Ai mbeti i shtrirë në tokë,” përshkroi Alhalabi.
Ai dënoi ashpër veprimet e 23-vjeçarit sirian.
“Ne nuk jemi të gjithë të tillë. Jam këtu prej shumë vitesh, jam integruar mirë, ashtu si edhe shumë të tjerë. Shpresoj që njerëzit të mos na krahasojnë me autorin e krimit,” tha ai.