Ky vit është më i nxehti i regjistruar, thotë OKB – por viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i keq

Ky vit do të jetë viti më i nxehtë në historinë njerëzore, tha kreu i Kombeve të Bashkuara, në fillim të samitit të klimës COP28.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se të dhënat tregojnë se “ne po jetojmë përmes kolapsit të klimës në kohë reale”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërsa duke iu lutur komunitetit ndërkombëtar që të veprojë dhe të përmbushë angazhimet e klimës, ai theksoi se rekordi duhet “të shkaktojë dridhje te liderët botërorë”.

Komentet e tij erdhën pasi Organizata Botërore Meteorologjike raportoi se ishte “praktikisht e sigurt” se viti 2023 kishte thyer rekordin global të temperaturës.

Por, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ekziston frika se viti 2024 mund të jetë akoma më i ngrohtë për shkak të sistemit të motit El Niño.

Guterres vuri në dukje në një fjalim se nivelet e detit dhe temperaturat e sipërfaqes së detit kanë arritur nivele rekord dhe se nivelet e akullit të detit në Antarktidë kanë arritur një rekord të ulët.

“Ky vit ka parë komunitete anembanë botës të goditur nga zjarret, përmbytjet dhe temperaturat e larta… Ngrohja rekord globale duhet të shkaktojë dridhje te liderët botërorë. Dhe kjo duhet t’i nxisë ata të veprojnë”, citohet të ketë thënë António Guterres. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeTë ndryshme