Lajçak bashkë me dy emisarët e caktuar nga Scholz e Macron të premten vizitojnë Kosovën

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, Jens Plettner dhe Emmanuel Beanie, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më 9 shtator.

Qëllim i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq”, konfirmoi Stano.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Duke folur për REL-in, Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Kategoritë
LajmeVendi