Bota e boksit mbeti e tronditur pas lajmit për vdekjen e boksierit profesionist irlandez John Cooney (28), i cili më 1 shkurt në Belfast humbi në raundin e nëntë kundër Nathan Howells.
Cooney u shtrua në spital menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ku iu diagnostikua hemorragji cerebrale. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent dhe u mbajt në repartin e kujdesit intensiv.
Një javë më vonë u konfirmua se Cooney kishte humbur betejën më të rëndësishme të jetës së tij, duke ndërruar jetë nga plagët e marra gjatë ndeshjes.
“Me shumë dhimbje duhet të njoftojmë se pas një jave të luftës për jetën, John Cooney, fatkeqësisht, ka ndërruar jetë. Zoti dhe zonja Cooney, si dhe e fejuara e tij Emmaleen, falënderojnë stafin e spitalit Royal Victoria në Belfast për përpjekjet e palodhura për të shpëtuar jetën e Johnit, si dhe të gjithë ata që dërguan mesazhe mbështetjeje dhe lutje,” njoftoi menaxheri i boksierit të ndjerë, Mark Dunlop.
Cooney, në karrierën e tij si boksier, kishte regjistruar 11 fitore dhe vetëm një humbje, atë që i solli fatkeqësinë.
Ndeshja ishte për mbrojtjen e titullit të kampionit britanik në kategorinë super e lehtë, të cilin ai e kishte fituar në nëntor të vitit 2023.