Lavrov: Nuk ka pengesa në implementimin e marrëveshjes për grurin

Ministri i Jashtëm rus Lavrov dje deklaroi se “nuk ka pengesa” në implementimin e marrëveshjes për eksportin e grurit midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Türkiye-s.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dje deklaroi se “nuk ka pengesa” në implementimin e marrëveshjes për eksportin e grurit midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e tij vjen pasi raketat ruse goditën portin kryesor të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa, të shtunën, sulm i cili u dënua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha se sulmi ndaj një objektivi kyç për eksportet e grurit një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stambollit ishte “i dënueshëm dhe përsëri tregon shpërfillje të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve të Rusisë”.

Por, duke folur në një konferencë për media në Republikën e Kongos pas një takimi me presidentin Denis Sassou N’Guesso, Lavrov tha se sulmet në Odesa “nuk duhet të ndikojnë” në eksportet e grurit, sepse ato synonin “depot e armëve dhe municioneve të cilat Perëndimi i ka dërguar Kievit”.

“Nuk ka asnjë pengesë për zbatimin e marrëveshjes së 22 korrikut”, shtoi ai.

Lavrov këmbënguli se Rusia do të vazhdojë me sulmet ndaj objektivave ushtarake ukrainase. “Në angazhimet që ka marrë Rusia, asgjë nuk do të na ndalojë të vazhdojmë operacionin special ushtarak”, tha ai.

Kryediplomati rus akuzoi Perëndimin si përgjegjës për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.

Lavrov e filloi vizitën e tij në Egjipt të dielën, pas së cilës udhëtoi për në Republikën e Kongos dhe mbërriti në Ugandë të hënën vonë, nga ku do të niset për në Etiopi.

Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, i cili ishte pjesë e bisedimeve në Stamboll, të hënën deklaroi se dërgesat e para të grurit sipas marrëveshjes priten këtë javë.

Kategoritë
BotaLajme