Lavrov: Perëndimi po e pengon hyrjen e drithit rus në tregjet botërore

“Kolegët tanë perëndimorë nuk po e bëjnë atë që na është premtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ata nuk heqin sanksionet logjistike që pengojnë hyrjen e lirë të drithit dhe plehrave ruse në tregjet botërore”

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se shtetet perëndimore nuk i kanë hequr sanksionet që pengojnë hyrjen e drithit dhe plehrave ruse në tregun botëror në kuadër të marrëveshjes së korridorit të grurit të nënshkruar në Istanbul, raporton Anadolu Agency (AA).

Lavrov foli në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me ministrin e Jashtëm të Tajlandës, Don Pramudwinai.

Duke vënë në dukje se ata po punojnë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres dhe ekipin e tij për të siguruar që drithi rus të arrijë në tregun botëror në përputhje me marrëveshjen e korridorit të grurit të arritur në Istanbul, Lavrov i përshkroi si “deklarata të fryra artificialisht” pretendimet se veprimet e Rusisë kanë shkaktuar krizën në tregjet e ushqimeve dhe plehrave.

Ai theksoi se e vërteta është e kundërta e këtyre deklaratave.

“Kolegët tanë perëndimorë nuk po e bëjnë atë që na është premtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ata nuk heqin sanksionet logjistike që pengojnë hyrjen e lirë të drithit dhe plehrave ruse në tregjet botërore”, u shpreh shefi i diplomacisë ruse.

Kategoritë
BotaLajme