Lavrov: Rusia nuk dëshiron luftë me Ukrainën

“Nëse varet nga Federata Ruse, nuk do të ketë luftë. Ne nuk duam luftëra, por nuk do të lejojmë që interesat tona të sulmohen në mënyrë të vrazhdë, nuk do të lejojmë që interesat tona të shpërfillen”, tha Lavrov

Në mes të tensioneve në rritje, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska nuk dëshiron një luftë me Ukrainën, por nuk do të lejojë që të cenohen interesat e vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nëse varet nga Federata Ruse, nuk do të ketë luftë. Ne nuk duam luftëra, por nuk do të lejojmë që interesat tona të sulmohen në mënyrë të vrazhdë, nuk do të lejojmë që interesat tona të shpërfillen”, tha Lavrov në një intervistë për Radio Stacionin e Katërt rus.

Lavrov tha se diskutimet me SHBA-në vazhdojnë dhe brenda dy javësh do të ketë një takim të ri ruso-amerikan.

Duke folur rreth përgjigjes së SHBA-së ndaj propozimit rus për garancitë e sigurisë, Lavrov tha se Washingtoni citoi kryesisht propozimet e mëparshme ndaj Rusisë, duke përfshirë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në Evropë, tërheqjen e stërvitjeve ushtarake nga kufijtë mes tyre dhe krijimin e një linje të rregullt dhe të pandërprerë ushtarake.

Ndër të tjera, kryediplomati rus theksoi se përgjigja e SHBA-së është “një shembull i diplomacisë”, krahasuar me dokumentin “arrogant dhe ideologjikisht të njëanshëm” të NATO-s, për të cilin ai ishte “madje i turpëruar”.

I pyetur për sanksionet, Lavrov tha se vendosja e tyre do të thotë prishje e marrëdhënieve diplomatike.

Kategoritë
BotaLajme