Lavrov takon në Moskë ministrin e Brendshëm të Serbisë

Në takim u theksua se Serbia dhe Rusia edhe në kohë sfidash të mëdha kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme diplomatike dhe bashkëpunim të suksesshëm dypalësh

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, është takuar në Moskë me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ku tha se “Serbia e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e harron vëllazërinë shekullore”, ndërsa Lavrov premtoi mbështetjen ndaj Serbisë në ruajtjen e integritetit territorial, transmeton Anadolu Agency.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulin tha se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe “nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Theksohet se ai shprehu mirënjohje ndaj Rusisë për respektimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit të Serbisë dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se Lavrov ka thënë se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në ruajtjen e integritetit të saj territorial.

“Vulin tha se Serbia nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin, i cili me kërkesë të presidentit Vuçiq parandaloi miratimin e rezolutës britanike në Kombet e Bashkuara në vitin 2015, sipas së cilës serbët do të ishin shpallur një komb gjenocidal”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

Vulin shtoi se Lavrov është një mik i sinqertë i Serbisë dhe popullit serb dhe se Serbia është një vend i pavarur dhe sovran që vet zgjedh miqtë e saj. Ai po ashtu shprehu keqardhjen që ministrit rus iu pamundësua vizita në Beograd në qershor dhe vlerësoi se me këtë rast ishin shkelur të gjitha parimet dhe e drejta ndërkombëtare.

Në takim u theksua se Serbia dhe Rusia edhe në kohë sfidash të mëdha kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme diplomatike dhe bashkëpunim të suksesshëm dypalësh.

Kategoritë
BotaLajme