Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar emrat e rinj për pozitat kyçe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe brenda strukturave të partisë.
Përmes një njoftimi në Facebook, Abdixhiku bëri të ditur se ka propozuar Kujtim Shalën për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa Hykmete Bajrami për shefe të Grupit Parlamentar të LDK-së.
Sipas tij, të dy propozimet janë mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa pritet të formalizohen nga organet përkatëse të partisë.
“Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.