Leao refuzoi Chelsean dhe Real Madridin, vazhdon negociatat me Milanin

Futbollisti portugez Rafael Leao ka vendosur të refuzojë ofertat nga Chelsea dhe Real Madrid, shkruan La Gazzetta dello Sport.

Leao ka një kontratë me Milanin që skadon në qershor të vitit 2024, por negociatat janë duke u zhvilluar për vazhdimin e bashkëpunimit. Përfaqësuesit e Chelseat dhe Real Madridit kanë zhvilluar bisedime me agjentin e tij Jorge Mendes, por duket se Leao ka hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar një prej gjigantëve të lartpërmendur pasi dëshiron të qëndrojë te skuadra kuqezi.

Mesa duket financat nuk janë problem sepse Milani planifikon t’ia rrisë pagën portugezit në 7 milionë euro në sezon, por ende nuk ka marrëveshje për më shumë se 20 milionë eurot që i detyrohet ish-klubit të Sportingut, sepse në 2018-ën e ndërpreu kontratën në mënyrë të njëanshme.

Agjenti i tij pret që Milani të shlyejë borxhin, ndërsa kuqezinjtë nuk janë plotësisht të gatshëm ta bëjnë këtë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Chelseat kanë biseduar me kolegët e Sportingut javën e kaluar për të marrë një pamje të qartë të situatës së borxhit. Megjithatë, Leao nuk dëshiron të kalojë në Stamford Bridge dhe ka udhëzuar agjentët e tij që të arrijnë një marrëveshje me Milanin.

Kategoritë
Sport