Futbollisti legjendar brazilian Marcelo (36) ka njoftuar se ka përfunduar karrierën e tij të pasur.
Ai mbylli karrierën pas 721 ndeshjesh, 58 golash, 117 asistimesh dhe me statusin si një nga mbrojtësit më të mirë të majtë në historinë e futbollit.
Marcelo ishte pa klub pasi Fluminense, klubi brazilian ku luante, i ndërpreu kontratën në fillim të nëntorit të vitit të kaluar. Pasi nuk gjeti një angazhim të ri, vendosi të tërhiqet nga futbolli.
Marcelo debutoi për Fluminense në vitin 2005 dhe në vitin 2007 kaloi te Real Madrid, ku u bë një legjendë e klubit mbretëror.
Në 546 ndeshje deri në vitin 2022, Marcelo fitoi gjashtë herë La Ligën dhe pesë herë Ligën e Kampionëve, duke e ngritur në 25 numrin total të trofeve të fituar me Real Madridin.
Pas largimit nga Real Madridi, ai luajti për Olympiakos dhe më pas u rikthye te Fluminense.