Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se një mjek nga Shoqata Islamike e Skautëve në Burj Rahal u vra herët në mëngjes ndërsa po përpiqej të shpëtonte një person të plagosur
Dy punonjës mjekësorë të urgjencës u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në Libanin jugor, tha sot Ministria libaneze e Shëndetësisë, duke theksuar se ushtria izraelite shënjestroi paramedikët në detyrë, të cilët po përpiqeshin t’u jepnin ndihmën e parë personave të lënduar dhe t’i transportonin në spital, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se dy paramedikë janë të zhdukur dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për gjetjen e tyre.
Ministria tha se një mjek nga Shoqata Islamike e Skautëve në Burj Rahal u vra herët në mëngjes ndërsa po përpiqej të shpëtonte një person të plagosur.
Një tjetër punonjës shëndetësor u vra dhe katër të tjerë u plagosën kur një sulm ajror izraelit goditi një ekip të reagimit emergjent të Shoqatës Islamike të Shëndetit në Kfar Tibnit, tha ministria, duke shtuar se dy punonjës janë ende të zhdukur.
Ministria dënoi sulmet “barbare” të Izraelit ndaj punonjësve të shëndetësisë, duke i përshkruar ato si “nivele të paprecedentë të dhunës që janë plotësisht në kundërshtim me vlerat humanitare”.
Sulmet e përsëritura të Izraelit ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor janë “shkelje të rrezikshme dhe dashakeqe”, paralajmëroi ministria, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë dhe t’i japë fund “kulturës së dhunës dhe gjenocidit” të Izraelit.
Izraeli këtë shtator nisi një fushatë ajrore në Liban kundër atyre që pretendon se janë objektiva të grupit Hezbollah, në një përshkallëzim pas një viti të luftës ndërkufitare që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza në tetor 2023.
Gati 3.400 njerëz janë vrarë, mbi 14.600 të plagosur dhe më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur nga sulmet izraelite që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Izraeli më 1 tetor filloi një inkursion tokësor në Libanin jugor.