Nëntë kufoma u morën nga ekipet e Mbrojtjes Civile në qytetin Chamaa, gjashtë në Bayyada dhe një në Naqoura
Mjekët libanezë gjetën kufomat e 16 personave nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në jug të Libanit, transmeton Anadolu.
Nëntë kufoma u morën nga ekipet e Mbrojtjes Civile në qytetin Chamaa, gjashtë në Bayyada dhe një në Naqoura, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA.
Në raportim thuhet se përpjekjet po vazhdojnë për të kërkuar më shumë viktima nën rrënoja në tre qytetet jugore.
Më 27 nëntor, një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi me shpresën për t’i dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut. Megjithatë, armëpushimi përshkruhet si i brishtë, pasi mbi 130 shkelje izraelite u dokumentuan nga Libani.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë në faza forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, kufirit “de fakto” midis dy vendeve, teksa ushtria libaneze vendos forcat e saj në jug të vendit brenda 60 ditësh.
Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.
Mbi katër mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban, ndërsa mbi një milion të tjerë janë zhvendosur që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.