“Gjithçka që kam jetuar dhe frymuar që nga momenti i arrestimit ishte mundim, një ndjenjë e përzier me dëshpërim dhe privim. Nuk kisha fare shpresë se do të largohesha përsëri nga burgu”, shprehet Hamwi, duke shpjeguar kushtet gjatë burgimit të tij.
Pas 33 vitesh pas hekurave në burgun famëkeq Sednaya të Sirisë, që ndodhet në një zonë rurale jashtë kryeqytetit Damask, një libanez ka treguar se si ai “po frymonte çdo ditë mundime” dhe nuk kishte shpresë se do të kthehej ndonjëherë në vendin e tij në Liban.
Por sot, Souhail Hamwi më në fund e gjen veten në përqafimin e atdheut dhe familjes së tij, pas rënies së shpejtë të regjimit sirian të Bashar Asadit.
Hamwi, shtetasi i parë libanez që u kthye në vendin e tij pasi u lirua së bashku me të burgosur të tjerë libanezë nga burgjet e regjimit sirian, duke folur për Anadolu në një intervistë tha se ai nuk kishte asnjë shpresë të largohet nga burgu dhe të kthehet në atdheun dhe shtëpinë e tij.
Sipas raporteve ndërkombëtare, Burgu Ushtarak Sednaya, i përshkruar si një “thertore njerëzore”, ndodhet rreth 30 kilometra nga kryeqyteti Damask.
Pas marsit të vitit 2011, ky vend u bë një qendër për ndalimin e protestuesve paqësor dhe anëtarëve të opozitës së armatosur. Raportet tregojnë se mijëra u vranë sistematikisht dhe fshehurazi brenda burgut, ku regjimi kreu ekzekutime masive jashtëgjyqësore midis viteve 2011 dhe 2015, me një normë deri në 50 persona për çdo javë.
Këto raporte gjithashtu tregojnë se regjimi sirian i Asadit i mbante të burgosurit në kushte çnjerëzore, duke i nënshtruar në tortura sistematike dhe duke i privuar nga ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor.
Herët në mëngjesin e të dielës, fraksionet kundër regjimit hyrën në Damask dhe morën kontrollin pasi forcat e regjimit u tërhoqën nga institucionet publike dhe rrugët e kryeqytetit, duke i dhënë fund në këtë mënyrë 61 viteve të regjimit të përgjakshëm të Partisë Baath dhe 53 viteve të sundimit të familjes Asad.
Më 27 nëntor, filluan përplasjet midis forcave të regjimit sirian dhe fraksioneve të opozitës në provincat Alepo dhe Idlib, të cilat ranë nën kontrollin e fraksioneve dhe më pas u përhapën në qytetet Hama, Daraa, Sweida, Homs dhe në fund në kryeqytetin Damask.
– Vuajtje dhe dëshpërim
Hamwi u arrestua në vitin 1991 nga inteligjenca ushtarake siriane me akuzën se i përket partisë Forcat Libaneze, e njohur për kundërshtimin e saj ndaj pranisë siriane në Liban. Sipas grupeve libaneze të të drejtave të njeriut, ai është një prej qindra shtetasve libanezë që u zhdukën në burgjet siriane.
“Unë u dënova me burgim të përjetshëm në burgun Sednaya dhe sot ja ku jam përsëri në të njëjtën shtëpi nga e cila u arrestova, në qytetin Chekka (Libanin verior), nga inteligjenca siriane 33 vite më parë”, thotë Hamwi.
I burgosuri i liruar i përshkroi vuajtjet që kaloi mbi tre dekada gjatë burgimit të tij. Ai u zhvendos midis burgut Anjar në Libanin lindor, atëherë nën administratën siriane, në burgun Adra në Damask, më pas në burgun Latakia dhe në fund në burgun famëkeq Sednaya.
“Gjatë disa periudhave të burgimit, kam qenë në izolim për 15 vjet përpara se të transferohesha në burgun Sednaya, ku më vendosën në një qeli të përbashkët”, shpjegon Hamwi.
– “Nuk prisnim që kaq shpejtë të dalim nga burgu”
“Gjithçka që kam jetuar dhe frymuar që nga momenti i arrestimit ishte mundim, një ndjenjë e përzier me dëshpërim dhe privim. Nuk kisha fare shpresë se do të largohesha përsëri nga burgu”, shprehet Hamwi, duke shpjeguar kushtet gjatë burgimit të tij.
“Nuk ka pasur vizita, komunikim me familjen dhe të afërmit ishte krejtësisht i ndaluar. Unë besoj se ka pasur një mungesë në mbulimin mediatik të tragjedisë sonë”, shtoi ai.
Hamëi foli edhe për lirimin e tij dramatik gjatë fundjavës.
“E dinim se kishte ngjarje që po ndodhnin jashtë, por kurrë nuk prisnim të dalim kaq shpejt nga burgu. Dëgjova të shtëna, por nuk e di se kush më liroi. Kam ecur rreth 15 kilometra në këmbë përpara se dikush më çoi në Liban”, thotë Hamwi.
– Një fije shprese
Më herët, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se Hamwi është ndër të burgosurit e parë që u kthye në Liban, një hap që rriti shpresat për kthimin e të burgosurve të mbetur libanezë dhe të atyre që janë zhdukur.
Gjatë pranisë pothuajse 30-vjeçare të Sirisë në Liban (1976–2005), shumë libanezë u arrestuan dhe u transferuan në burgjet siriane për arsye të ndryshme, përfshirë për arsye se i përkisnin palëve që kundërshtonin praninë siriane në Liban ose nën dyshimin për bashkëpunim me grupe të konsideruara “armiqësore” ndaj regjimit sirian të asaj kohe.
Gjithashtu disa libanezë për arrestimin e tyre pa asnjë shpjegim real, iu nënshtruan zhdukjes me forcë, veçanërisht gjatë Luftës Civile Libaneze (1975–1990).
Në të kaluarën, regjimi i Asadit liroi të burgosurit libanezë në dy grupe, respektivisht grupi i parë në vitin 1998, i cili përfshinte 121 shtetas libanezë dhe i dyti në vitin 2000, i cili përfshinte 54 libanezë.
Megjithatë, organizatat libaneze pohojnë se qindra libanezë mbeten në burgjet siriane, një pretendim që regjimi i rrëzuar i Asadit e mohoi.
Sipas grupit joqeveritar Shoqata e të Burgosurve Politik Libanezë në Burgjet Siriane, rreth 622 shtetas libanezë mbeten të zhdukur me forcë në burgjet siriane.