Liburn Aliu në gjykatë si i akuzuar: Jo nuk e pranoj fajësinë

Ministri aktual i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu, dhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një deklarim të tillë, ministri Aliu dhe të akuzuarit e tjerë e kanë bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi kanë mohuar fajësinë edhe për veprën penale “mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kam kuptu aktakuzën. Nuk kam nevojë për sqarime shtesë. Jo nuk e pranoj fajësinë.”, ka thënë i akuzuari Aliu.

Pas deklarimit lidhur me fajësinë, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi i ka njoftuar palët se brenda afatit 30 ditor ata mund të paraqesin kundërshtime për provat dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë u caktua të mbahet më 7 qershor 2021, në ora 10:00.

Shqyrtimit fillestar në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 prill, mirëpo seanca ishte shtyrë në mungesë të të akuzuarës Bahtie Uka.

Ndryshe, më 23 mars 2021, “Betimi për Drejtësi” kishte njoftuar opinionin publik se ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Kategoritë
LajmeVendi