Liderët e BE-së miratojnë planin prej 300 miliardë eurosh për të zëvendësuar karburantet fosile ruse

Plani “REPowerEU” synon të arrijë ndarje nga karburantet fosile ruse me blerje të përbashkëta, duke siguruar furnizimin me gaz përmes ndërlidhjeve më të mira dhe të gjenerojë një “investim masiv në burimet e rinovueshme”

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) miratuan planin e Komisionit Evropian prej 300 miliardë eurosh për zëvendësimin e karburanteve fosile ruse, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media pas samitit të posaçëm dy-ditor të BE-së, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi vendimet për të “përfunduar sa më shpejt të jetë e mundur varësinë nga karburantet fosile”.

Ajo shpjegoi se plani “REPowerEU” synon të arrijë ndarje nga karburantet fosile ruse me blerje të përbashkëta, duke siguruar furnizimin me gaz përmes ndërlidhjeve më të mira dhe të gjenerojë një “investim masiv në burimet e rinovueshme”.

Ajo theksoi se pas diskutimeve me liderët e BE-së, Komisioni Evropian propozon “ta mbështesë atë plan me 300 miliardë euro nga financimi i BE-së”.

Njoftimi vjen pasi liderët e BE-së arritën një marrëveshje politike për pakon e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë, e cila përfshin ndalimin e 90 për qind të importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti.

Von der Leyen gjithashtu tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është “një kujtesë e ashpër e nevojës për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të BE-së”.

Ajo tha se Komisioni Evropian do të ngrejë një grup pune për të koordinuar investimet ushtarake për të shmangur dyfishimin e gjërave dhe gjithashtu do të mbështesë prokurimet e përbashkëta nga buxheti i BE-së.

Von der Leyen përshëndeti gjithashtu synimet e Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, duke thënë se “aleanca më e fortë ushtarake në botë” do të “përfitojë shumë nga anëtarësimi i tyre”.

27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së trajtuan gjithashtu pasojat e luftës në furnizimin global të ushqimit.

Charles Michel, president i Këshillit Evropian, tha se BE-ja mbështet masat për të “shmangur këtë krizë potencialisht serioze për një disa vende që mund të kenë një efekt të dëmshëm në Afrikë, por edhe në Evropë”.

Kategoritë
BotaLajme