Liderët e Iniciativës “Ballkani i Hapur” arritën në Ohër

Për herë të parë në një samit të kësaj iniciative janë pjesë edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina

Liderët e vendeve të iniciativës “Ballkani i hapur” kanë mbërritur në Ohër, ku nesër do të mbahet pjesa punuese e samitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që është nikoqir i samitit, bëhet e ditur se presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazovi, u pritën në Aeroportin e Ohrit nga ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçeevska.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u prit nga Metodija Dimovski, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, ndërsa kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, dje mbërriti në Ohër.

Sipas agjendës së samitit “Ballkani i Hapur”, nesër do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në turizëm, kulturë dhe marrëveshje ndërmjet administratave tatimore të vendeve nismëtare, si dhe marrëveshje bashkëpunimi për vendet e nismës për njohjen reciproke të diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në Bashkimin Evropian.

Për herë të parë në një samit të kësaj iniciative janë pjesë edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kategoritë
LajmeRajoni