Lideri grek Mitsotakis: Mund të shkohet në zgjedhje për herë të tretë nëse nuk formohet qeveria në qershor

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 21 maj në Greqi, Demokracia e Re ishte partia që mori numrin më të madh të votave me 40,79 për qind, por nuk arriti numrin prej 151 deputetësh

Kreu i Partisë Demokracia e Re dhe ish-kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis, njoftoi se në gusht mund të shkohet sërish në zgjedhje në rast se partia e tij nuk vjen e vetme në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 25 qershor, transmeton Anadolu.

“Nëse qeveria nuk formohet e vetme (në zgjedhjet e 25 qershorit), ne do të shkojmë në zgjedhje për herë të tretë. Ata që mund të jenë partneri ynë potencialisht, nëse thonë se ‘Nuk duam të formojmë qeveri me ju sepse duam të qëndrojmë në opozitë‘ ky është një rezultat i natyrshëm. Po flas për PASOK”, tha Mitsotakis duke folur për MEGA TV.

Greqia nuk arriti të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të përgjithshme

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 21 maj në Greqi, Demokracia e Re ishte partia që mori numrin më të madh të votave me 40,79 për qind, por nuk arriti numrin prej 151 deputetësh që do ta lejonin të vinte e vetme në pushtet.

Mitsotakis menjëherë pas zgjedhjeve vuri në dukje se nuk është pro alternativës për koalicion dhe deklaroi se preferon të shkojnë në zgjedhje për herë të dytë.

Pasi edhe partitë opozitare nuk u afruan në alternativën për koalicion, Mitsotakis ia dorëzoi kryeministrinë më 25 maj Yannis Sarmasit, kryeministrit të qeverisë së përkohshme, që do të çojë vendin në zgjedhjet e përgjithshme më 25 qershor.

– Ndryshimi i sistemit zgjedhor

Sipas sistemit zgjedhor të aplikuar në vitet e mëparshme në Greqi, partisë së parë i jepeshin 50 deputetë më shumë në parlamentin me 300 vende në mënyrë që të mos kishte nevojë për qeveri të koalicionit.

Ndërsa sipas sistemit zgjedhor të zbatuar për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme 2023, nuk parashikohen deputetë shtesë për asnjë parti. Përballë kësaj populli shkon sërish në zgjedhje nëse partitë nuk formojnë koalicion me rezultatet aktuale.

Kur shkohet për herë të dytë në zgjedhje, partisë së parë i jepen 20 deri në 50 vende shtesë, në varësi të përqindjes së votave, me kushtin që të marrë të paktën 25 për qind të votave.

Kategoritë
BotaLajme