Lideri i AfD-së paralajmëron Merzin: “Kushdo që ndërton mure mbrojtëse kundër nesh, do të digjet pas tyre”

Një nga liderët e partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), Tino Chrupalla, komentoi rezultatet e zgjedhjeve për ARD dhe dërgoi një mesazh të qartë për partitë e tjera, veçanërisht për fituesit – koalicionin CDU/CSU.

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve dhe suksesin historik të AfD-së, Chrupalla tha se partia është veçanërisht e kënaqur me rezultatet në lindje të Gjermanisë dhe theksoi se nga ai rajon do të fillojë formimi i qeverive të reja.

“Dje u afruam edhe një hap më shumë drejt këtij qëllimi. Kryeministrat e landeve lindore gjermane tani duhet të shqyrtojnë se si të përballen me këtë rezultat zgjedhor,” tha Chrupalla.

Sa i përket nivelit federal, Chrupalla deklaroi se AfD-ja do ta marrë seriozisht rolin e saj si partia kryesore opozitare.

Gjithashtu, ai pati një mesazh edhe për të gjitha ato parti që mbështesin të ashtuquajturin “mur mbrojtës”, pra një lloj ndalese për të negociuar me partitë e djathta ekstreme në Gjermani.

“Kushdo që ndërton mure mbrojtëse kundër nesh, do të digjet pas tyre. Zoti Merz do ta kuptojë këtë shumë shpejt,” përfundoi Chrupalla.

Ndryshe, Alternativa për Gjermaninë në këto zgjedhje mori 20,8 për qind të votave, duke u renditur si partia e dytë më e fuqishme në parlament.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, partia shënoi një rritje prej 10,42 për qind dhe tani do të ketë gjithsej 152 deputetë në përbërjen e re të Bundestagut gjerman.

Kategoritë
BotaLajme