Lideri i opozitës: Ri-pranimi i regjimit sirian në Ligën Arabe nuk do të çojë në paqe të qëndrueshme

“Procesi i normalizimit me regjimin sirian pa arritur një zgjidhje politike do t’i japë regjimit kapital politik dhe mbështetje ndërkombëtare, duke e lejuar atë të vazhdojë të imponojë kontrollin mbi popullin sirian”, tha Jamous

Figura kryesore e opozitës siriane ka deklaruar se proceset e normalizimit me regjimin e Damaskut pas ri-pranimit të tij në Ligën Arabe nuk do të zgjidhin problemet aktuale të Sirisë dhe as nuk do të çojnë në paqe të qëndrueshme, raporton Anadolu.

Dr. Bader Jamous, president i Komisionit Sirian të Negociatave, foli në një konferencë për media të organizuar nga shoqata e gazetarëve të akredituar në Kombet e Bashkuara (OKB), ACANU, ku theksoi se një zgjidhje politike duhet të ketë “drejtësi tranzicionale” dhe “përgjegjësi” për ata që kryen mizori.

“Procesi i normalizimit me regjimin sirian pa arritur një zgjidhje politike do t’i japë regjimit kapital politik dhe mbështetje ndërkombëtare, duke e lejuar atë të vazhdojë të imponojë kontrollin mbi popullin sirian. Prandaj, do të jetë e vështirë të bëhet ndonjë ndryshim real në strukturën e shtetit sirian, të arrihet drejtësia tranzicionale dhe të realizohet paqe dhe stabilitet i qëndrueshëm në Siri”, tha Jamous.

Jamous tha se regjimi sirian nuk ka bërë ndonjë ndryshim domethënës dhe vazhdon të arrestojë anëtarët e opozitës. Për këtë arsye, tha ai, synimi duhet të jetë një tranzicion politik.

Sipas tij, kjo duhet të përfshijë dhënien llogari të atyre që janë përgjegjës për “krime e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut” në Siri, si dhe arritjen e “drejtësisë tranzicionale” për të krijuar një shtet të lirë dhe të drejtë demokratik.

Zhvillimi i ri në Siri do të përkeqësojë vuajtjet

Më tej, Jamous tha se zhvillimi i ri në Siri do të “forcojë kapacitetin e saj represiv dhe do ta ndihmojë atë të zbatojë politikat shtypëse, duke përkeqësuar kështu vuajtjet dhe mizoritë të cilave u është nënshtruar populli sirian”.

Ai tha se komunikimi po vazhdon me Türkiyen, e cila i konfirmoi Komisionit Sirian të Negociatave se një zgjidhje politike për krizën siriane duhet të ndodhë në përputhje me Rezolutën 2254 të OKB-së të vitit 2015 për Sirinë.

Në një konferencë tjetër për media në OKB, zëdhënësja e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, Jennifer Fenton, citoi të dërguarin Geir Pedersen se ai ka theksuar se angazhimi rajonal mund të ndihmojë në hapjen e progresit për të çuar përpara procesin politik të lehtësuar nga OKB-ja në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit për paqen në Siri.

“Z. Pedersen i ka përmendur Këshillit të Sigurimit se ne jemi në një pikë të rëndësishme në përpjekjet për ta çuar përpara procesin politik dhe ne kemi parë vëmendje të përtërirë diplomatike për Sirinë”, tha Fenton.

Siç theksoi ajo, “kjo vëmendje e ripërtërirë ndaj Sirisë është shumë e rëndësishme nëse ajo mund të veprojë si çelës dhe të zhbllokojë përpjekjet e ngecura për ta çuar përpara procesin politik”.

Siria ka ngecur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit shtypi protestat pro-demokratike.

Kategoritë
BotaLajme