Liga e Kombeve UEFA: Kosova mposht bindshëm Qipron Greke

Me këtë ndeshje Kosova ka përfunduar në pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve UEFA. Ekipi kosovar mblodhi 9 pikë në gjashtë ndeshje.

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mposhtur atë të Qipros Greke me rezultat 5 me 1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e fundit në Grupin 2 në kuadër të Ligës së Kombeve UEFA.

Kosova ka kaluar në epërsi ndaj Qipros Greke në minutën e 22-të, me golin e Florent Muslijas. Golin e dytë për Kosovën e shënoi Donat Rudhani, në minutat shtesë të pjesës së parë duke e mbyllur pjesën e parë me rezultat 2 me 0.

Në pjesën e dytë Kosova ishte edhe më bindëse ku menjëherë në minutën e 47-të Elbasan Rashani shënoi për rezultat 3 me 0.

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, shënoi dy gola në këtë ndeshje, atë për rezultat 4 me 0 në minutën e 52-të, ndërsa realizoi gol të bukur me goditje me kokë edhe në minutën e 84-t për rezultat 5 me 1.

Tek ekipi mysafir i Qipros Greke golin e vetëm e shënoi Valentin Roberge në minutën e 81-të.

Me këtë ndeshje Kosova ka përfunduar në pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve UEFA. Ekipi kosovar mblodhi 9 pikë në gjashtë ndeshje. Në vendin e parë në këtë grup renditet Greqia me 15 pikë.

Kosova tani mund të bëhet gati për kualifikimet për EURO 2024. Kundërshtarët e saj ajo i mëson pas disa javësh, ndërsa ndeshjet e para i luan në mars të vitit 2023.

Kategoritë
Sport