Shkruan: Ardian I. Bajraktari, Avokat
Ligji i ri për skemat pensionale të financuara nga shteti, nëse nuk miratohet dhe nuk hyn në fuqi deri me 15 korrik 2023, nga kjo datë lind e drejta e palëve të afektuara për të kërkuar kompensim nga shteti.
Me vendimin KO 190/19, Gjykata Kushtetuese i pati dhënë fund praktikës diskriminuese të Kategorizimit të Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional.
Gjykata, më datë 30.12.2022, publikoi njoftimin me të cilin theksoi se, njëzëri, vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se në rrethanat e rastit konkret, siguria juridike mbrohet në mënyrë më efektive duke përcaktuar shfuqizimin e dispozitave të vlerësuara si në kundërshtim me Kushtetutën pas një periudhe gjashtë (6) mujore, përkatësisht më 15 korrik 2023, në mënyrë që (i) të evitohet zbrazëtia juridike e cila, ndër tjerash, mund të afektojë negativisht edhe qytetarë të cilët mund të përfitojnë nga dispozitat përkatëse të Ligjit të kontestuar në lidhje me Udhëzimin Administrativ të kontestuar; dhe (ii) t’i akordohet një periudhë kohore e arsyeshme Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.
Mos zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk përbën vepër penale, ngase ai i drejtohet institucioneve, por është cenim i demokracisë, e ne rastin në fjalë mund të rezultojë me shkelje (vazhdim të shkeljeve) të të drejtave të njeriut, për shkak të trajtimit (vazhdimit) të pabarabartë, në raport me dispozitat ligjore që ekzistojnë dhe standardit kushtetues që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, e cila ka konstatuar se në periudhën 6 mujore për ndryshime janë të mjaftueshme për të krijuar sigurinë juridike.
Nëse nuk zbatohet ky afat, atëherë siguria e qytetareve është mbrojtja gjyqësore qe i jepet çdo individi qe afektohet me këto dispozita e që e vënë në trajtim të pabarabartë për sa i përket pensionimit dhe kohës që kërkohet për ta gëzuar atë pension.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.