Futbollistët e Liverpoolit kanë fituar titullin e kampionit të Anglisë, pasi katër xhiro para përfundimit të sezonit në Premier League janë bërë të paarritshëm dhe matematikisht për Arsenalin e vendit të dytë.
Liverpooli kështu ka arritur te titulli i 20-të jubilar i kampionit të Anglisë dhe i pari pas vitit 2020. Me këtë titull, “The Reds” janë barazuar me Manchester Unitedin në krye të listës së klubeve që kanë fituar më së shumti tituj të kampionit në Angli. Të dy klubet tani kanë nga 20 tituj, me atë që Unitedin e fundit e fitoi në vitin 2013.
Është interesante se Liverpooli për herë të dytë radhazi ka ndërprerë serinë e titujve të Manchester Cityt. Herën e parë e bëri këtë në vitin 2020 kur City kishte dy tituj radhazi, ndërsa tani e ka arritur titullin pas katër titujve radhazi të skuadrës së Pep Guardiolës.
Ndryshe, Liverpooli sot në “Anfield” në kuadër të xhiros së 34-të të Premier League e ka shkatërruar Tottenhamin me rezultat 5:1, megjithëse mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Solanke në minutën e 12-të të ndeshjes.
Megjithatë, për vetëm 12 minuta, Liverpooli përmbysi rezultatin. Fillimisht Diaz barazoi, më pas Mac Allister shënoi për 2:1. Para se të përfundonte pjesa e parë, Gakpo realizoi edhe golin e tretë për Liverpoolin, duke siguruar kështu një epërsi të qetë.
Në vazhdim të ndeshjes, edhe lojtari më i mirë i ligës, Salah, u shënua në listën e golashënuesve, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:1 për Liverpoolin e vulosi me autogol i pafati Udogie.
Me fitoren e sotme, Liverpooli, katër xhiro para fundit të kampionatit, siguroi vendin e parë me 15 pikë më shumë se Arsenali i vendit të dytë, ndërsa Tottenhami ndodhet në pozitën e 16-të. Në xhiron e ardhshme, Liverpooli do të jetë mysafir i Chelseat, ndërsa Tottenhami do të luajë në udhëtim kundër West Hamit.
Rezultati dhe golashënuesit:
Liverpool – Tottenham 5:1 (Diaz 16′, Mac Allister 24′, Gakpo 34′, Salah 63′, Udogie autogol 69′ – Solanke 12′)