Llapi – Buduçnost po konsiderohet si lojë e ndjeshme, do të ketë kontroll të detajuar për tifozët

Ndeshja e sontme e futbollit ndërmjet Llapit dhe Buduçnostit po konsiderohet si e ndjeshme dhe më e veçantë se të tjerat.

Mbi 10 mijë tifozë shqiptarë pritet të jenë prezentë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta mbështetur skuadrën kosovare në misionin e saj për ta përmbysur ekipin malazez në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Conference Leagues, derisa loja e parë kishte përfunduar 2:0 për malazezët.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Podgoricë javën e kaluar, llapjanët nuk u pritën aspak mirë pasi tifozët “Varvari”, që njihen si pro-serbë, bënë thirrje, shfaqën banera dhe shfaqën shkrime nacionaliste.

Madje, tifozët “Barbarët” e paralajmëruan edhe pjesëmarrjen e tyre në Prishtinë përmes postimeve provokuese në rrjetet sociale.

Sidoqoftë, ata nuk do të lejohen të futen në territorin e Kosovës.

Por, për çdo rast, Policia e Kosovës i ka marrë të gjitha masat e nevojshme para lojës së sontme, ku do të ketë tifozë nga troje të ndryshme shqiptare.

Policia ka njoftuar sot se i ka bllokuar disa rrugë që shpiejnë në stadiumin e kryeqytetit për shkak të ndeshjes së sotme.

Këto bllokada do të vlejnë vetëm për ditën e sotme.

“Policia e Kosovës ka hartuar dhe do të zbatojë planin operativ për të ofruar siguri para, gjatë dhe pas ndeshjes sportive. Policia do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë perimetër. Kështu, që nga mëngjesi, më 14 korrik, rrugët që shkojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave, pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga “Luan Haradinaj” dhe “Fehmi Agani” në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit, kurse veturat zyrtare që lejohen të futen në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga “Tirana” “, thuhet fillimisht në njoftimin e Policisë, e cila tutje njofton se për këtë lojë, që po konsiderohet si më e ndjeshme, do të ketë kontrolle më të detajuara.

“Policia në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të atyre që ia mësyjnë stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium. Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo përreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë”, vazhdon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Ndeshja ndërmjet Llapit dhe Buduçnostit do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.

Kategoritë
Sport