Lojtari i klubit Athletic Bilbao i lindur në Spanjë do të luaj për kombëtaren e Ganës

“Ndjej se ka ardhur momenti që unë të gjej origjinën time brenda vetes, atë afrikane dhe ganeze, që do të thotë shumë për mua dhe familjen time”, shkroi Williams në twitter

Futbollisti Iñaki Williams, i lindur në Spanjë, do të luajë për kombëtaren e Ganës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sulmuesi i klubit Athletic Bilbao vendimin e tij e bëri të ditur dje përmes një video të postuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

Lojtari 28-vjeçar lindi në Spanjë nga prindër që arritën në një kamp refugjatësh nga Gana, të cilët thanë se kishin ikur nga lufta civile në Liberi dhe më vonë u shpërngulën në rajonin Baskisë në veri të Spanjës.

“Ndjej se ka ardhur momenti që unë të gjej origjinën time brenda vetes, atë afrikane dhe ganeze, që do të thotë shumë për mua dhe familjen time”, shkroi Williams në twitter.

“Dua të kthej një pjesë të vogël të gjithë asaj që ka dhënë për ne, sepse Gana ka luajtur një rol të rëndësishëm për t’u bërë ky që jam si person, si djalë dhe si vëlla”, shtoi ai.

Ai është një nga pesë lojtarët që kaloi tek kombëtarja e Ganës përpara Kupës së Botës në Katar.

Williams ishte pjesë e skuadrave të të rinjve të Spanjës dhe bëri një paraqitje me ekipin e parë në një miqësore kundër Bosnjë e Hercegovinës në vitin 2016. Ai nuk ishte thirrur kohët e fundit nga trajneri aktual i Spanjës, Luis Enrique.

Gana është në Grupin H të Kupës së Botës së këtij viti në Katar, së bashku me Portugalinë, Korenë e Jugut dhe Uruguain.

Kategoritë
LajmeSport